Historiku i Organizatës

 

 

Organizata ‘Gratë në Bujqësinë e Qëndrueshme’, (Women in Sustainable Agriculture - WSA) është krijuar në vitin 2006. Nisma për krijimin e WSA, kishte në zanafillën e saj plogështinë e përgjithshme me të cilën funksiononin strukturat qëndrore dhe lokale të qeverisjes, progresin e pakët dhe kaotik të zhvillimit të zonave rurale dhe situatën vecanërisht të vështirë, të grupeve të grave në këto zona.

 

Thelbi i misionit të WSA vazhdon të mbetet i njëjti dhe përvijohet në përpjekjet për : ‘Përmirësimin e jetës së grave të zonave rurale dhe fuqizimin e tyre, me qëllim pjesmarrjen më aktive të tyre, në aktivitetet bujqësore, shoqëri dhe më gjërë’.

 

Megjithë përpjekjet e rëndësishme për të adresuar këto sfida, përmes angazhimeve kombëtare lidhur me shanset dhe mundësitë e barabarta, si dhe progresin e arritur në kuadrin, politik, ligjor dhe institucional, boshllëqet janë ende te pranishme dhe pabarazitë për grupet shoqërore te grave rurale mbeten të mëdha.

 

Gjatë këtij rrugëtimi 10 vjecar, grupi i aktivisteve që bënë të mundur krijimin e shoqatës, është zgjeruar në numër, duke ofruar më tepër larmi në fushat dhe specialitetet që mbulon.

 

Dikur, e përbërë nga një grup i ngushtë grash të profilizuara kryesisht në fushën e agronomisë, puna e WSA kufizohej në cështje të ngushta, si p.sh ngritje kapacitetesh dhe ndërgjëgjësim lidhur me metodat dhe teknologjitë e reja të prodhimit bujqësor. Fillimet e punës së WSA përfshijnë aktivitete të tilla si, demonstrime, trajnime, takime të hapura me grupe të vogla grash, të kryera pa asnjë mbështetje financiare, me qëllim njohjen më të mirë të probematikave në rajonet rurale dhe rritjen e kohezionit me komunitet dhe grupet e synuara te grave rurale. Kjo qasje i ka dhënë mundësinë WSA, të jetë afër problemeve reale dhe më të rëndësishme, si dhe të krijojë një rrjet mjaft të gjërë përfaqsimi me degët/pikat e saj, në pothuajse të gjitha rajonet e vendit (për më tepër informacion shiko hartën).

 

Sot, falë përvojës së krijuar, maturimit profesional dhe larmisë së fushave që mbulon, në specialitete të tilla si, agronomi, ekonomi, mjedis, etj, WSA ka avancuar natyrën e ndërhyrjeve në aspekte të statusit social dhe ekonomik, sipërmarrjes dhe fuqizimit ekonomik, edukimit dhe ndërgjegjësimit (për cështje që lidhen me shëndetin, dhunën në familje, etj) dhe ka zgjeruar e ngritur nivelin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë, përmes ndërverprimit me organizata të tjera, publike dhe private dhe aderimit në rrjete të ndryshme që kanë në fokusin e tyre problematikat gjinore të zhvillimit rural dhe urban, si p.sh “Rrjeti Shqipëtar për Zhvillimin Rural”. Vlen të përmëndim se trupa drejtuese dhe zbatuese përbëhet nga gra profesioniste me kualifikime të kryera brenda dhe jashtë vendit, madje një pjesë e tyre mbajnë grada dhe tituj shkencorë.

 

WSA ka një veprimtari aktive në zbatimin e një serie projektesh, të mbeshtetura nga donatorë të huaj dhe struktura shtetërore. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft aktive edhe në pjesmarrjen nëpër veprimtari dhe evente Komëtare dhe Ndërkombëtare për cështjet gjinore.

WSA Albania

WSA ka qenë aktive me projekte të mbështetura nga donatorë të huaj dhe institucione shtetërore. Ajo ka marrë pjesë në disa evente kombëtarë dhe ndërkombëtarë duke adresuar çështjet gjinore.

WSA © 2016 | Të gjitha të drejtat e rezervuara