Përshëndetje

 

 

Të jesh grua, e për më tepër të kesh punuar për më shumë se një dekadë, si agronome në zonat rurale, si dhe të kesh drejtuar për afro 20 vite Shërbimin Këshillimor Kombëtar, të shtrirë në gjithë rajonet e vendit, nuk mund te jesh indiferente dhe të mos bëhesh pjesë aktive e adresimit dhe mbështetjes të grave në këto zona, të cilat përballen përditë, sa me varfërinë dhe mbijetesën, sa me përmbytjet e herë pas hershme dhe thatësirën e tejzgjatur, por më së shumti me punën e rëndë, mungesën e shërbimeve dhe statusin e tyre të disavantazhuar, si në familje edhe në shoqëri. Ky ishte dhe motivi kryesor, që në bashkëpunim me një grup kolegesh, ndërmorëm në vitin 2006 nismën për ngritjen e shoqatës “Gratë në Bujqësinë e Qëndrueshme”/ (Women in Sustainable Agriculture, WSA).

 

Gratë janë “shtyllat e padukshme” të komuniteteve rurale në vendin tonë dhe të shoqerisë në tërësi. Kontributi i grave në zonat rurale, si në familje ashtu edhe në fermë, është shumë i rëndësishëm, por ai vazhdon të mbetet “në hije” dhe i nënvleftësuar. Situata e grave në zonat rurale është e mbarsur me problematika të mprehta, që përfshijnë dhunën në familje, mungesën e aksesit në infrastrukturën e shërbimeve publike, (shendetësi, edukim, transport); cështjet e pronësisë mbi burimet natyrore (tokë dhe kullota), ndarjen e pabarabartë të punës në familje, etj. Mund të them me bindje se fuqizimi grave rurale, përbën sot për sot, një sfidë të rëndësishme për vendin në rrugën drejt progresit dhe emancipimit shoqëror.

 

Megjithë përpjekjet e rëndësishme për të adresuar këto sfida, përmes angazhimeve kombëtare në lidhje me shanset dhe mundësitë e barabarta, si dhe progresin e arritur në kuadrin, politik, ligjor dhe institucional, boshllëqet janë ende te pranishme dhe pabarazitë, për grupet shoqërore te grave rurale mbeten të mëdha.

 

Tashmë aktive në sektor, prej afro një dekade dhe me nje shtrirje të anëtarësisë dhe bashkëpunëtoreve në te gjitha rajonet e vendit, ‘Gratë në Bujqësine e Qëndrueshme’, ka fituar vëmëndjen dhe besimin e donatorëve të ndryshëm në zbatimin e një serie nismash, kryesisht në rajonet rurale me nivel te shprehur varfërie. Gjithashtu, WSA është bërë pjesë aktive e rrjeteve dhe forumeve lokale që adresojnë problematika të karakterit ekonomik dhe social, në përpjekjet e përbashkëta për të rritur shkallën e ndëgjegjësimit, për të parashtruar alternativa dhe për të adresuar problematikat në strukturat përkatëse. ‘Gratë në Bujqësinë e Qëndrueshme’ do vazhdojë të japë kontributin e saj në përpjekjet e përbashkëta për përmbushjen jo vetëm të objektivave gjinorë dhe zhvillimore të vendit, por edhe me gjërë, në kontekstet rajonale dhe gloabale, si p.sh Objektivat Gjinorë të FAOs për 2025 dhe objektiva të tjerë madhorë.

 

Nje risi në qasjen e WSA ndaj grupeve të interesit, do të jetë përfshirja së shpejti, nëpër aktivitete e veprimtari, e grupeve me studentë nga Universiteti Bujqësor - Departamenti i Agromjedisit).

 

Prof.Tatjana Dishnica

Drejtore Ekzekutive e “Gratë në Bujqësinë e Qëndrueshme”

WSA Albania

WSA ka qenë aktive me projekte të mbështetura nga donatorë të huaj dhe institucione shtetërore. Ajo ka marrë pjesë në disa evente kombëtarë dhe ndërkombëtarë duke adresuar çështjet gjinore.

WSA © 2016 | Të gjitha të drejtat e rezervuara